Konfirmohet në detyrë zv. Prokurori i Përgjithshëm, Thoma Jano

Thoma Jano, zv. Prokurori i Përgjithshëm, është konfirmuar në detyrë pasi ka rezultuar i pastër në të treja shtyllat e rivlerësimit si pasuria, aftësitë profesionale dhe pastërtia e figures. Jano doli përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të zhvilluar seancën e tij dëgjimore më datë 13 shkurt.

Sipas KPK-së, gjendja e llogarisë rrjedhëse të Janos përputhet me të ardhurat, ndërsa kursimet kapin vlerën e 850 mijë lekëve. Gjithshtu ka edhe detyrime financiare për kredinë e marrë për blerjen e një sipërfaqeje banimi 130 m2 në vlerën 5 milionë lekë për të cilën ka një afat 25 vjeçar për ta shlyer. KPK konstaton se banka konfirmon dhënien e huasë dhe se për momentin nuk ka problematikë për detyrimin e mbetur nga ana e subjektit.

Prokurori gjithashtu ka edhe një makinë tip ‘Benz’ që i ka kushtuar 400 mijë lekë të reja. Si të ardhura, Jano ka deklaruar pagën e tij dhe të bashkëshortes, për të shtuar më pas atë të djalit dhe të vajzës, e cila ushtronte profesionin e pedagoges në Universitetin e falimentuar “Kristal”.

Thoma Jano është zgjedhur zëvendësi i Kryeprokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çelës më 30 dhjetor të vitit të shkuar. Ai ka prekur kupolën e Prokurorisë, pas vitit 1997, kur punoi si kreu i prokurorisë së Tiranës, gjatë kohës që organi i akuzës drejtohej nga Arben Rakipi. Pas ’97 u emërua në Prokurorinë e Tiranës, për t’u emëruar më pas nga Fatos Nano si zv.ministër të Rendit Publik. Pasi mbaroi mandatin e tij, Jano vijoi punën si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme në sektorin e përgjimeve.

admin

4 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *