Në ditën e parë të qeverisë së re të iniciohet nisma për shkarkimin e Thaçit

Shkarkimi i Thaçit nënkupton që të çrrënjoset përfundimisht çdo element i krahut të luftës
Me konfirmimin e dakordimit ndërmjet Vjosës dhe Albinit për koalicion, përveç rritjes së shpresës së qytetarëve për ndryshim të kursit të shtetit, me të drejt lind edhe drejta për të shkarkuar presidentin Hashim Thaçi. Shkarkimi i Thaçit nënkupton që të çrrënjoset përfundimisht çdo element i krahut të luftës, respektivisht largimin e çdo gjëje që identifikohet me të kaluarën. Kjo nuk rrjedh nga mendësia e hakmarrjes, por ka të bëjë me largimin e njeriut që i ka bërë dëme të mëdha vendit.

Largimi i Thaçit nga posti i presidentit nuk është thjeshtë kozmetikë sa është përmbajtjesorë. Përmbajtjesor është për disa arsye: Së pari degradimi i shtetit ka nisur me Thaçin sa ishte kryeministër, që prodhoi varfëri, largim të të rinjve, degradimin në arsim dhe shëndetësi. Pastaj, largimi i tij nënkupton se përgjithmonë ka vdekur teza e ndarjes së vendit, ideja e propaganduar nga Thaçi, Vuçiqi dhe Edi Rama.

Një veprim i tillë do të çlironte nga frika të gjithë qytetarët, e të cilët gjithnjë kanë frikë se Thaçi nga mëngët e tija do të nxjerr kartën e fundit, lojaliteti ndaj perëndimit për hir të ruajtës së pozitës së tij, si në raport të brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Për me tepër Thaçi është sintetizim i krimit, korrupsionit , nepotizmit dhe tentativës për ndarje të vendit e të cilat kanë prodhuar këtë mllef që u shpërfaq në zgjedhjet e 6 tetorit.

Nga ky mllef PDK mbeti në opozitë, me sovranin që u dha besimin të rinjve, intelektualëve. Ky popull i stër-vuajtur ndër shekuj, ka të drejtën e plotë që të ndjejë se më në fund po lind një gjeneratë e re, e cila nuk ia ka frikën përballjes me drejtësinë këdo që në emër të popullit ka përvetësuar të mira material dhe privilegje të shumta.

Kur vjen puna tek Thaçi kjo bëhet edhe më e rëndë, duke pasur parasysh të gjithë marifetet e tija në dëm të Kosovës dhe popullit të saj. Në një demokraci të mirëfilltë, kur njerëz si Hashimi nuk bëhen kurrë president, ardhja në qeveri e një force tjetër politike nuk do të nënkuptonte që të shkarkohet edhe presidenti. Kur kemi parasysh se bëhet fjalë për Kosovën e kapur nga krimi, bandat dhe njerëz që nuk e kanë vendin në poste publike, përveç si “shpërblim” për Hashimin, kjo më tepër shtrohet si parësore.

Me shkarkimin e tij secili zyrtar që ka bërë dëm vendit për të përfituar në favor të vetin, s`do të ndihet më komod, për më tepër do të ketë nga ata që edhe vet do të largohen. Kështu që, me shkarkimin e Thaçit hapet kapitull i ri për vendin. Natyrisht ky kapitull vetëm se po fillon me njerëz si Vjosa dhe Albini, megjithatë me shkarkimin e Thaçit kjo merr kuptim edhe me të fortë si për opinion publik, ashtu edhe për të gjithë të korruptuarit. Me votat e koalicionit VV-LDK dhe me përkrahjen të lirë edhe të AAK shkarkohet Thaçi, pa qenë të varur nga votat e serbëve, dhe të PDK-së e cila nuk do e përkrah një nismë të tillë.

Kështu që, shumë lehtë arrihen 81 vota të cilat do të shkarkonin njeriun që është fytyra e të gjitha të këqijave që i kanë ndodhur vendit. Me instalimin e një sistemi të drejtësisë të pavarur, prokuroria do i kishte duart e lira për të hetuar Thaçin dhe të gjithë zyrtarët që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme. Sidomos për Hashimin ka shumë fakte, dhe mijëra dëshmi që mund të jenë të mjaftueshme për prokurorinë që ta ulin para drejtësisë njeriun simbol të kapjes së shtetit, dhënies së koncesioneve oligarkëve të tij, dhe më e rrezikshmja tentativa e tij për të ndarë vendin që të shpëtoj veten.

Me largimin e Thaçit dhe përballjen e tij me drejtësinë, përfundimisht e keqja do i takoj të shkuarës, me çka edhe lind një periudhë e re për Kosovën, ku asnjë njeri më nuk do të jetë i paprekshëm.