Haziri lëshon një paralajmërim të papritur për VV-në në lidhje me koalicionin

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se linçimet dhe arroganca nuk duhet të jetë pjesë e negociatave për ndërtimin e Qeverisë së re me Vetëvendosjen.

Madje, ai ka thënë se Partia e Albin Kurtit s’duhet ta ketë synim ta bluajë Lidhjen Demokratike pasi një qëllim të tillë kishte PDK por që ka dështuar.

“PDK, në asnjërën prej tri fazave të saj, prej uniformave me armë, demobilizizimit me kravata e këmisha të kaltërta (teget), e deri në qeverisje, e sofistikuar dhe e organizuar mirë, nuk ka mund të shkatërrojë LDK, anipse këtë e ka pasë qëllim kryesor”, ka reaguar Haziri, në një reagim në FB.

“Tash, nëse LVV hyn në bashkëqeverisje me qëllimin për ta ‘blu’ LDK’në, e ka shumë gabim. Raporti duhet të ndërtohet me mirëbesim dhe me korrektësi maksimale. Unë jam për një marrëveshje qeverisëse 4+, për t’i zgjidhur problemet e mëdha me Serbinë dhe problemet e brendshme me funksionimin e ligjit”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Kryeministrja apo kryeministri i ardhshëm duhet të jetë i të gjithë qytetarëve dhe linçimet dhe arroganca e çfarëdo natyre, nuk duhet me pasë vend në asnjë mënyrë.